Saturday, January 5, 2008

Intervistë: Adem Demaçi, veprimtar i çështjes kombëtare

PËR POLITIKË PA KLANE

Procesi i njohjes së Kosovës mund të zgjasë, ndërsa shtetet nga të cilat Kosova ka më së shumti të mira e kanë fjalën e vet. Por, Kosova nuk do ta udhëheqë vetveten pas 15 qershorit. Derisa të vazhdojë mbështetja e kërkuar, do të ketë edhe përzierje në punët e brendshme. Pakoja e Ahtisarit nuk është shpëtim për Kosovën, ashtu sikur nuk është shpëtim për Serbinë fitorja e Boris Tadiqit. Shqiptarëve ende u mungon organizimi dhe kanë dukuri negative
në institucione. Thaçi, Sejdiu e Haradinaj duhet të luftojnë me dinjitet për pushtet. Raportet e tyre personale me njëri-tjetrin janë të parëndësishme për popullin dhe nuk duhet të ngatërrohen me interesat kombëtare

VALMIR KLAIQI

Prishtinë, 1 maj 2008 - Edhe pse i shtyrë në moshë, Adem Demaçi ende dëshiron të merret me politikë, por jo me parti e me klane që, sipas tij, interes e kanë vetëm pushtetin. Ai thotë se deri tani Kosovën e kanë njohur shtetet më të zhvilluara në çdo aspekt, ndërkaq për vendet që nuk e kanë njohur deri tash, sidomos ato nga Liga arabe, thotë se po koriten dhe po tregojnë se janë objekt manipulimi i forcave jo të mira dhe joprogresive të kohës së sotme. Demaçi mendon se për t'u faktorizuar shqiptarët në Ballkan, duhet të jenë më të organizuar dhe duhet t'i zhdukin dukuritë negative që i kanë brenda institucioneve

"Lajm": Kosovën e kanë njohur 38 shtete, në mesin e tyre janë vendet më të fuqishme të botës. A mendoni se në këtë kohë duhet të bëhet një lobim më i madh për njohjen?
Demaçi: Vetë fakti që kemi arritur te shifra 38 nuk është pak. Nuk ndihmon shumë këtu lobimi, sepse ata që bëjnë lobime (serbët), janë më të zot për këtë punë dhe kanë para më shumë se ne. Ata që po qëndrojnë anash, sidomos shtetet islamike e arabe, u koritën krejt, sepse e treguan veten se janë objekt manipulimi i forcave jo të mira dhe joprogresive të kohës së sotme. Por, edhe ata do të fillojnë t'i hapin sytë e ta kuptojnë se nuk janë në rrugë të mirë. Procesi i njohjes do të mund të zgjasë pak shumë, kështu që kjo është ajo faza transitore për të cilën shqiptarët duhet të jenë të përgatitur dhe të mos i japin zor tepër. Në mesin e këtyre 38 vendeve që na
kanë njohur janë ato nga të cilat kemi më së tepërmi hajër, janë shtetet më të zhvilluara në çdo
aspekt.

"Lajm": Pas shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe ftesës së Shqipërisë për të hyrë në NATO, a mendoni se tashmë shqiptarët janë faktorizuar në Ballkan?
Demaçi: Ende nuk jemi faktorizuar, sepse Shqipëria duhet të bëhet anëtare e NATO-s. Ajo
duhet t'i kalojë edhe 10 vjet derisa shtetet evropiane të investojnë aty dhe ta ngrenë ekonomikisht. Ajo duhet të bëjë ende shumë punë për ta luftuar korrupsionin e shumë dukuri negative që i ka. Karakteristikë e shqiptarëve kudo që janë në Ballkan është shkalla e vogël e organizimit. Pastaj, kemi Greqinë dhe Serbinë, të cilat nuk duan që të faktorizohen shqiptarët
dhe mbrapa tyre kemi një Rusi, fatkeqësisht edhe një Kinë, e cila nuk po e kupton si duhet
fenomenin shqiptar në Evropë, kështu që nuk mund të faktorizohemi aq shpejt sa kemi dëshirë.

"Lajm": Serbia ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe edhe në Kosovë. A mendoni se institucionet e Kosovës duhet ta lejojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve?
Demaçi: Duhet të jemi realistë. Duhet ta dimë se Kosova e ka një pavarësi të mbikëqyrur dhe fjalën e fundit për të e kanë forcat jashtë Kosovës, NATO-ja, OKB-ja. Dihet se ne administrohemi në bazë të një Rezolute 1244, të cilën pa e rrëzuar nuk mund të dalim në
performancë tjetër. Do të na duhet edhe ca kohë për të vepruar vetë, e jo siç thonë disa dashamirë në Prishtinë që pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, më 15 qershor, shqiptarët do ta udhëheqin vetë
Kosovën. Megjithatë, prapë do të mbesim inferiorë dhe në pozitën që duhet t'i dëgjojmë ata që ne i ftuam, sepse vetë si popull nuk patëm kapacitet që ta fitonim lirinë me forcat tona. Derisa të
vazhdojë mbështetja që e kërkuam vetë, do të vazhdojë edhe fjala e fundit e tyre dhe përzierja e tyre në punë. Sot jemi në situatë që na vjen Boris Tadiqi (presidenti i Serbisë), ai tjetri e ai
tjetri dhe nuk kemi forcë t'u dalim përpara dhe t'u themi: Mbrapa kthehu, se më nuk mund
të hyni kur të doni në Kosovë.


"Lajm": Pra, thoni se edhe pas hyrjes së Kushtetutës në fuqi, Qeveria e Kosovës nuk do të mund t'i ndalojë zgjedhjet serbe dhe vizitat e paparalajmëruara të liderëve serbë?
Demaçi: Nuk do të munden institucionet e Kosovës t'i ndalojnë dhe do të bëhen kinse nuk po i
shohin. Këtë e solli përzierja e Rezolutës 1244 me projektin e Ahtisaarit, të cilin, fatkeqësisht,
shqiptarët me shtytjen e faktorëve të jashtëm u ngutën dhe gati të tërën e futën në Kushtetutën e shtetit. Dhe me këtë pako u janë dhënë serbëve aq shumë kompetenca dhe aq shumë të drejta që nuk i njeh historia askund në botë. Kjo pavarësi që e kemi tani do të zhvillohet ngadalë dhe dikur më vonë do ta lodhë faktorin serb. Atëherë do ta kuptojë edhe Rusia që s'ka përfitim nga kjo, por
vetëm humbje nga përkrahja që i bën një regjimi mafioz e kriminal që udhëheq në Serbi. Bota po
mashtrohet tash dhe po mundohet ta ndihmojë Boris Tadiqin kinse si faktor proevropian, por
natyra e brendshme e regjimit serb nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë, derisa Serbia të
kuptojë se nuk e ka më Kosovën dhe nuk do të mund ta ketë kurrë. Vetëm atëherë, pra, Serbia
do të ballafaqohet me vetveten dhe populli serb atëherë do ta kuptojë se ka qenë i mashtruar
tërë kohën dhe vetëm atëherë populli serb do t'i zgjedhë njerëzit e denjë që Serbinë do ta çojnë
në ujërat demokratike dhe do ta shpëtojnë nga çetnikët e neofashistët.

"Lajm": Ditëve të kaluara në Kosovë janë shfaqur njerëz me maska në fshatin Debëllde, në kufirin me Maqedoninë, ku Kosova rrezikon t'i humbë 2500 hektarë tokë. Si mendoni se do të përfundojë ky proces?
Demaçi: Unë kam frikë se ajo punë ka marrë fund në momentin kur Serbia e zgjodhi kohën
shumë delikate që të provonte nëse bashkësia ndërkombëtare do t'u rrijë atyre neneve të
Rambujesë dhe neneve të Rezolutës 1244. Serbia i thirri maqedonasit, të cilët nuk u treguan largpamës se kjo do t'u hakmerret herë do kurdo. Ata bënë një krim në një territor të banuar gjithmonë nga shqiptarët, duke pranuar që ky territor t'u falet nga Serbia. Por, ky është problemi i
Maqedonisë. E frika ime është se me pranimin e Pakos së Ahtisaarit, ne vetëm do të shpenzojmë kohë dhe mund, ngase kjo veç ka përfunduar që kur Kosova e pranoi këtë lloj pavarësie.

"Lajm": Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është liruar nga Gjykata e Hagës. Çfarë zhvillimesh mund të ketë tani në spektrin politik të Kosovës?
Demaçi: Me lirimin e Ramushit ndodhi një fitore e madhe e së vërtetës në botë, sepse propaganda serbe dhe përpjekjet e tyre ishin që ta bindnin botën se në Kosovë ka pasur një bandë, dhe se nuk ka pasur ushtri. Si strategji e tyre pra ishte që të dënohet Ramushi, Fatmiri (Limaj), tjetri e tjetri, në mënyrë që para botës të dalim ne fajtorë për atë çfarë ndodhi në
Kosovë. Lirimi i Ramushit është një fitore e madhe, së pari për Kosovën, për UÇK-në, dhe atij ju dha një shans që ai të kthehet dhe ta vazhdojë jetën normalisht. E di që ka simpatizantë të shumtë, sepse të gjithë e dinë se ai ka luftuar shumë. Por, unë do ta kisha porositur Ramushin, si
vëlla pak ma i madh, që luftën për pushtet, të cilën është duke e bërë, ta bëjë gjithnjë duke pasur parasysh interesin e Kosovës, sepse në të kundërtën do të dëmtohet edhe ai (Haradinaj), por edhe Kosova. Nuk guxojmë të përpiqemi të merremi me pushtet, duke e harruar çështjen kombëtare. Nëse Ramushi do të jetë në gjendje ta bindë popullin se ai prapë duhet të jetë kryeministër, atëherë kjo është në rregull.

"Lajm": Kryetari Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj ende nuk kanë gjetur kohë për t'u takuar. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim?
Demaçi: Ata (Sejdiu e Thaçi) mund t'i kenë disa probleme ndërmjet tyre, e kjo nuk është në rregull, sepse dihet se ata janë angazhuar për lirimin e Ramushit me disa deklarata. Nuk bënë të merremi me këso punë periferike, të cilat mund t'i dijë kryeministri, kryetari dhe Ramushi, sepse nuk janë të rëndësisë së parë për ne. Krahu i luftës, menjëherë pas largimit të forcave serbe nga Kosova, u nda në disa blloqe e parti, e kjo nuk ishte në rregull. Me këtë dua të them se këto probleme nuk janë të sotshme, por janë qysh nga koha e luftës. Prandaj, them se ne nuk është mirë të merremi me ato punët e tyre.

"Lajm": Ish-bashkëpunëtori juaj, Albin Kurti, është kundërshtar i Pakos së Ahtisaarit dhe vazhdimisht e kritikon punën e institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Si e vlerësoni ju veprimtarinë e Lëvizjes "Vetëvendosje"?
Demaçi: Veprimtaria e Lëvizjes "Vetëvendosje" është ndërgjegjja politike e popullit shqiptar. Të gjithë ata që e duan Kosovën janë për vetëvendosje dhe ata e dinë shumë mirë që vetëm vetëvendosja dhe referendumi është ajo vula më e rëndësishme dhe e përhershme, e cila do ta përfundojë definitivisht fatin e Kosovës. Përpjekja për të bërë referendum në Kosovë është përpjekje në interes të kombit shqiptar, në përgjithësi, dhe Kosovës, në veçanti. Pra, mendoj se Lëvizja "Vetëvendosje" ka anë pozitive, sepse vazhdimisht na rri gati dhe nuk lejon të vihemi në gjumë dhe të mendojmë se Pakoja e Ahtisaarit është shpëtimi i Kosovës. Duhet ta dimë se kjo pako ishte një kompromis i paparë dhe një kompromis i tepruar, i cili u bë me qëllim që të joshej Serbia e të zbutej Rusia për ta tejkaluar Rezolutën 1244, të cilën me gjitha këto lëshime nuk mundën ta ndryshojnë. Pra, kjo ishte strategji e gabuar dhe këtu duhet të jemi të vetëdijshëm,
prandaj unë kam mendim të lartë për Albin Kurtin dhe bashkëpunëtorët e tij, sepse ata punojnë për interesin kombëtar. Tekefundit, Albini dhe shokët e tij janë një opozitë shumë e fortë në Kosovë, të cilët me mjete paqësore mundohen ta arrijnë një vetëdije të popullit tonë që të shkojnë drejt përfundimit sa më të shpejtë të këtij procesi.

No comments: