“ZORRA QORRE” E KOSOVËS
Enver Mavriqi, zyrtar komunal, për komunën e tij e përdor epitetin “zorrë qorre”, kurse Bobani, një qytetar serb thotë se “Kamenica ka vdekur”.
Dikur, Kamenica konsiderohej një bazen i madh i xeheve dhe mineraleve, por tani braktiset nga qytetarët sepse shumica e fabrikave që mbanin gjallë ekonominë e këtij vendi, u shkatërruan e pastaj u privatizuan, por nuk u ri-hapën më!
VALMIR KLAIQI
Kamenicë, shtator 2007 – Juristi Sinan Sadiku është zyrtar komunal për punësim, por ai edhe vetë po t’i jepej mundësia do ta linte Kamenicën. Sipas tij, nëse kërkohet një punëtor për një punë 2 muajshe, për një ditë aplikojnë mbi 200 qytetarë.
“Para disa viteve kam ardhur në Kamenicë nga fshati Gjyryshec, por asnjë shpresë nuk e kam se në këtë vend do të ketë përparim. Çdo ditë e më mbrapa jemi duke u kthyer. Me këto politika nacionale kaq të dobëta, të gjithë qytetarët do të frekuentohen në qytete. Nëse Institucionet qendrore, bëjnë infrastrukturën në zonat malore-kufitare, atëherë banorët mund të kthehen në trojet e tyre dhe do të kenë mundësi të punojnë atje në shumë lëmi bujqësore, por jo kështu”, tha Sadiku.
Komuna e Kamenicës ka kohë që bartë mbi supe epitetin “zorrë qorre” e Kosovës, që nënkupton paperspektivën ekonomike.
Tendencat për migrim kanë filluar para vitit 1999, por është më e theksuar pas përfundimit të luftës së fundit, me “bankrotimin” e fabrikave të mëdha që kishte kjo komunë.
Të gjitha fshatrat malore të Kamenicës thuaja se janë zbrazur. Atje jetojnë vetëm ata pak banorë që nuk kanë kah t’ia mbajnë. Këtë zbrazje ka filluar ta përjetojë edhe vetë qyteti. Secili qytetar është i interesuar që ta shesë shtëpinë ose banesën ku jeton, për t’ia mësy ndonjë qendre më të madhe.
Kamenica, një qytet multietnik, sipas skemës së decentralizimit, pas statusit do të ndahet në baza etnike, kështu që do të mbes e rrethuar vetëm me komuna serbe. Qytetarët i frikohen kësaj. Deri më tani, Institucionet qendrore nuk kanë hartuar asnjë plan nacional për ta pamundësuar shpopullimin në këtë komunë e cila shtrihet në lindje të Kosovës, gjegjësisht në pjesën lindore të fushëgropës së lumit Anamorava.
Kamenica kufizohet me komunën e Gjilanit, Novobërdës si dhe me komunat e Serbisë, Bujanovc, Medvegjë dhe Vranjë.
“Edhe pse është e dhimbshme, shpërngulja nga fshatrat e Gallapit të malësisë së Kamenicës, ishte e domosdoshme. Sepse ishte e pa mundur të jetohej në ato hapësira kodrinore-malore ku nuk ishin as kushtet minimale për jetë. Kjo anë, është e harruar edhe nga Institucionet qendrore edhe nga ato lokale”, tregon për “Lajm” Enver Mavriqi, qytetar i Kamenicës, nga Feriqeva.
Fshati Tuxhec ishte si qendër për fshatrat e Gallapit, një fshat malor, larg qendrës komunale vetëm 15 kilometra.
“Ky fshat para 20 viteve kishte mbi 800 nxënës që vijonin mësimet në shkollën ‘Nuhi Berisha’, (ish “7 korriku”) ndërsa tani i ka rreth 30 nxënës që vijnë nga fshatrat Gjyrishevc, Gmicë, Sfircë, Feriqevë dhe Zajqec”, tha Mavriqi. Ish banorët e fshatrave të Gallapit, e vizitojnë vendlindjen e tyre vetëm të dielën e fundit të muajit qershor kur mbahen “Takimet e Vendlindjes”, që janë takime tradicionale.
“Menaxhimi i dobët i strukturave udhëheqëse komunale ka bërë që banorët e fshatrave dhe ata të qytetit të Kamenicës të shpërngulen në qytete tjera për të kërkuar kushte më të mira për jetë. Si duket, askush nuk qanë hallin për këtë dukuri e cila për fat të keq po merr përmasa shqetësuese. Tanimë është bërë vonë dhe është vështirë ti bindësh njerëzit se në këto anë prapë mund të jetohet si dikur”, thotë Mavriqi, i cili është këshilltar për punësim në zyrën komunale të punësimit, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas tij, në këtë komunë ka aq shumë të papunë, saqë qytetarët as nuk shkojnë për t’u lajmëruar në zyrën ku ai punon, për të kërkuar punë.
“E dinë se nuk mund t’u bëjmë zgjidhje. Shifrat që prezantohen nga organizata të ndryshme për papunësinë në Kosovë nuk janë të sakta. Ato shifra merren nëpër zyrat e ministrisë, por sa qytetarë janë që fare nuk janë të lajmëruar si të papunë, atë nuk mund ta dimë as ne. Ndoshta as gjysma nuk janë të lajmëruar”.
Sipas Mavriqit, në Kamenicë mund të punosh polic, në administratë komunale, mësues ose kamerier, tjetër asgjë.
“Sikur shumë qytetarë tjerë që janë larguar, ashtu edhe unë duhet të veprojë, edhe pse jam duke punuar. Në momentin që më jepet mundësia ta shes shtëpinë, do të largohem nga këtu, për në ndonjë qendër më të madhe, në mënyrë që më vonë mos të mbes i vetëm, ngase fëmijët e mi nuk do të më kthehen për të jetuar këtu pasi t’i mbarojnë studimet, sepse nuk kanë çfarë të bëjnë këtu”.
Sekretari i veteranëve të luftës së UÇK-së në këtë komunë, Mavriqi, thotë se Kamenica si vend multietnik, pa probleme, me një menaxhim më të mirë, ka mundur të fitojë shumë projekte.
“Tani Kamenica ka mbetur një zorrë qorre, e cila në të gjitha anët kufizohet me komuna serbe. Ky vend do të mbetet më papërspektivi në Kosovë, edhe pse me një pozitë ndoshta më të mirën gjeografike”.
Sipas zëvendës kryetares së Kuvendit Komunal të Kamenicës, Nexhmije Kallaba, privatizimi nuk ka dhënë efekte të pritura.
“Edhe pse është privatizuar fabrika e pllakave të qeramikës, ‘Imkosi’, ‘Kosovatransi’, ‘Beton Company’, dhe tokat pjellore të kooperativës bujqësore ‘Agroprodukti’, nuk kanë gjeneruar pothuajse asnjë vend të ri pune. Kjo komunë ka pasur fabrika gjigante në të cilat kanë qenë të punësuar shumë punëtorë, ndërsa tani ato janë të mbyllura, edhe pse të privatizuara. Privatizimi është i vonuar, dhe forma e privatizimit është e dështuar. Pas përfundimit të luftës u lejua nga organet shtetërore që të gjitha fabrikat të shkatërrohen, të keqpërpërdoren dhe manipulohen nga grupe njerëzish për interesa të ngushta”.
Fabrikat që janë privatizuar në Kamenicë, sipas Kallabës, janë blerë nga njerëzit që kanë kapital por nuk kanë ide se çfarë donë të thotë të prodhosh dhe të vësh në funksion një kapacitet prodhues.
Ndërsa për shpopullimin e Kamenicës, Kallaba fajëson edhe Institucionet. Sipas sajë, janë disa arsye që kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin pikëpyetjen se a me qëndruar në Kamenicë apo me ikë nga ky vend.
“Kamenica si komunë, tradicionalisht nuk i ka mbajtur kuadrot e veta, që është një fatkeqësi, dhe është për tu gjykuar. Kjo temë është mirë që të trajtohet edhe si pikë e veçantë e rendit të ditës në Kuvendin Komunal të Kamenicës, ngase kjo dukuri e shpërnguljes vazhdimisht po rritet. Kjo është duke ndodhur edhe si pasojë e mungesës së politikave tona zhvillimore të përgjithshme edhe nga niveli qendror dhe pjesërisht edhe i politikës lokale”, ajo për “Lajm”.
Sipas Kallabës, ata njerëz që nuk i ka “duruar” vendi i vet, kanë shkuar në Prishtinë dhe sot janë emra të njohur për gjithë Kosovën.
Buxheti për vitin 2007 për Kamenicën është vendosur nga Qeveria e Kosovës që të jetë gjysmë milioni më i vogël se vitin e kaluar. Me këtë shkurtim buxhetor, kjo komunë është e detyruar që t’i mbyllë edhe afër 20 shkolla që janë nëpër fshatra malore, që do të thotë se migrimi i atyre pak banorëve që kanë mbetur në ato fshatra “përkrahet” nga Institucionet.
“Shkurtimi i buxhetit, për Kamenicën është gjëja më fatale që i ka ndodhur ndonjëherë. Kjo është bërë pa na pyetur organet qendrore dhe as nuk na konsultojnë. Në rastin e Kamenicës, ku në një vijë të gjatë kufizohemi me Serbinë, në gjithë politikën e qeverisë duhet të ekzistojë një politikë kombëtare. Pa këtë politikë, kufiri do të vijë këtu në qytet, sepse në fshatrat kufitare s’ka me pasë më as shkolla ndoshta. A këtë e dëshiron qeveria?!”.
Resurset që nuk shfrytëzohen
Sipas shënimeve statistikore të vitit 1991, Kamenica kishte 57 mijë banorë, në 76 vendbanime, 80 deri 85 për qind me popullsi shqiptare, ndërsa 15 deri 20 për qind serbë dhe pakica tjera.
Me një sipërfaqe prej 523 mijë kilometra katrorë, Kamenica është e pasur me tokë pjellore, kullosa të shumta, sipërfaqe të mjaftueshme pyjore, kushte këto ideale për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Para disa viteve, Kamenica kishte një bujqësi relativisht të zhvilluar. Kishte fermën e brojlerëve në Ropotovë me kapacitet prej 360 mijë copë pula, fermën e deleve dhe dhive në Bratilloc, me kapacitet prej 2 mijë e 100 krerë dhe serrën për prodhimin e perimeve me sipërfaqe prej 6 hektarësh. Të gjitha këto kapacitete të dikurshme bujqësore, aktualisht janë të pashfrytëzuara dhe presin shpalljen e tenderëve për privatizim.
Kamenica është e njohur edhe me resurse të shumta minerale; magnezit, granite të kaolinizuara, bentonit, kuarc, tuf, feldaspat, andezit etj.
Për shtatë vjet angazhim për bashkëjetesë, erdhi ndarja si shpërblim
Zëvendëskryetarja Nexhmije Kallaba është edhe koordinatore e standardeve për komunën e Kamenicës. Ajo thotë se edhe pse Kamenica është ndër komunat e para që i ka plotësuar standardet, nuk ka fituar asgjë më shumë se ndonjë komunë tjetër. “Shtatë vite kam proklamuar multietnicitetin, tolerancën, bashkëpunimin e ndërsjellë, dhe në fund po e fitojmë një komunë të ndarë në baza etnike. Ky është shpërblimi që e kemi marrë!. Unë u kam thënë zyrtarëve të UNMIK-ut se më duhet të dalë publikisht dhe t’u kërkojë falje njerëzve që këtë shpërblim nuk e kemi kërkuar por na e kanë imponuar”.
Por, sipas saj, kjo nuk donë të thotë se qytetarët e kamenicas duhet që të zhgënjehen dhe të mos jetojnë edhe në të ardhmen në frymën e tolerancës. “Dihet fare mirë se ndërkombëtarët dërgojnë ndihma në vendet ku ka probleme, trazira... e jo në vendet e qeta”.
Serbët kamenicas injorojnë institucionet kosovare
Edhe pse zëvendëskryetarja Kallaba ka punuar shtatë vite për proklamimin e tolerancës dhe bashkëjetesës në këtë qytet, serbët lokal të Kamenicës, ende nuk u besojnë institucioneve lokale dhe për të gjitha këto që kanë ndodhur në Kosovë qe shtatë vite, e fajësojnë Amerikën.
Në kafenenë “Boban” në Kamenicë, të martën po pinin birra “Pils” tre serbë. Ata gjatë kohës sa pinin, duke biseduar për Kamenicën, këndonin këngë patriotike serbe, dhe vazhdimisht shanin Amerikën.
“Si guxuat të hyni në këtë kafe. A guxojmë ne të vijmë në Prishtinë dhe të hymë në ndonjë kafe kështu lirshëm?”, thoshte pronari i kësaj kafeneje, Bobani, duke mos dashur të tregojë mbiemrin.
Ai nuk pranoi as të fotografohej.
“Kamenica ka vdekë”, tha Bobani në gjuhën e tij amtare.
“E di gjuhën shqipe sikur ju shqiptarët por nuk dua të flas shqip, sepse jam në lokal timin”.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke punuar me strategji që ta shkatërrojë çdo komunë që ka serbë, në mënyrë që t’i detyrojë serbët të largohen.
“Unë po dëgjojë se shumë shqiptarë po i shesin shtëpitë e tyre, por serbët nuk guxojnë ta bëjnë një gjë të tillë, sepse kjo është një lojë e shqiptarëve që të na largojnë nga vendi ynë. Po të dëgjojmë që një serb i Kamenicës e shet shtëpinë, atë do ta shpallim tradhtar. Pasi institucionet na kanë lënë anash, ne kemi kërkuar mbështetje nga qeveria e shtetit tonë, Serbisë. Na kanë premtuar se shumë shpejtë do të na sjellin rrymë nga atje, dhe atë pa asnjë dinar. Këtë rrymë që po na e lëshon KEK-u nuk e kemi paguar dhe nuk do ta paguajmë kurrë”, tha për “Lajm” Bobani.
Wednesday, May 9, 2007
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment